Sine kay sine yekh Kujtim Pacaku

Një dramë me karakter in memoriam që sjell në skenë jetën, veprën dhe trashëgiminë kulturore të Kujtim Paçakut.

Na ishte se ç’na ishte një Kujtim Paçaku një histori jete, poezie, aktivizmi dhe kulture që gjallërohet përmes artit skenik.

Drama “Na ishte se ç’na ishte një Kujtim Paçaku”, me autor Nexhip Menekshe dhe nën regjinë e regjisorit Kaltrim Balaj, ndërtohet mbi fragmente nga jeta dhe veprimtaria e tij. Përmes lojërave skenike, pasqyrohen momentet më të rëndësishme të punës së tij intelektuale dhe kontributi i dhënë për shoqërinë.

Roli i “Narratorit” udhëheq rrëfimin, duke shpalosur kontributin e Kujtim Paçakut në promovimin e kulturës rome dhe të shoqërisë së Kosovës në përgjithësi.

Në dramë trajtohen skena nga jeta e tij në teatrin rom, puna me oktetin rom, veprimtaria në shoqërinë civile, shkrimi i poezive, vizioni politik dhe jeta e përditshme. Në qendër qëndron personaliteti i tij si intelektual, lider, njeri i tolerancës, drejtësisë dhe kreativitetit.

Poezitë e tij pasqyrojnë realitetin socio-ekonomik të romëve, kulturën, patriotizmin dhe historinë që nga emigrimi nga India deri në ditët e sotme. Drama përmbyllet me dy mesazhe të fuqishme të tij:
“Më parë duhet të jemi e pastaj të kemi” dhe “Ne duam integrim, pa asimilim”.