Një dramë që zhytet në frikën, represionin dhe ankthin e jetës nën një regjim totalitar.
“Në kërkim” një rrëfim i fuqishëm skenik mbi frikën njerëzore dhe rezistencën shpirtërore, i frymëzuar nga Bertolt Brecht.
“Frika e Madhe dhe Mjerimi në Rajhun Tretë”, vepra monumentale e Bertolt Brecht e shkruar më 1938, është baza dramaturgjike e shfaqjes “Në kërkim”. E ndërtuar përmes skenash të pavarura, ajo pasqyron jetën e përditshme nën regjimin nazist, duke nxjerrë në pah frikën, propagandën dhe represionin sistematik.
Tri akte të pavarura rrëfejnë fatin e individëve të rrethuar nga dyshimi dhe ankthi, duke krijuar një tablo të errët, por tejet reale të një shoqërie nën shtypje.
Me 7 prill 2025, Teatri Rom “Nexhip Menekshe” solli premierën nën dramaturgjinë dhe regjinë e Mahir Musliut, i cili riktheu fuqishëm frymën e teatrit epik në skenë. Në këtë produksion u bashkuan gjenerata aktorësh, me pjesëmarrjen e veteranëve Daut Qulangjiu dhe Xhelal Dogani, si dhe aktorëve të trupës: Fatmir, Benjamin, Gynesh, Melisa, Gjynejt dhe Mijedin.
Ekipi profesional u përforcua nga Gëzim Sertollaj (koreografi), Flamur Krasniqi (ton), Skender Latifi (ndriçim) dhe Fikrim Menekshe (skenografi), duke krijuar një përvojë të fuqishme teatrale. Drama u përfshi në repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe të Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu”.








