Një dramë që flet me zërin e grave që shoqëria shpesh zgjedh të mos i dëgjojë.
“Juvlenge Historie” gjysmë ëndërr, gjysmë realitet… një pasqyrë tronditëse e jetës së grave të harruara.
Të gjitha historitë e grave të inskenuara në këtë shfaqje janë marrë nga jeta reale. Janë ato histori që i lexojmë në kronikat e zeza dhe, fatkeqësisht, i pranojmë si të zakonshme, pa u ndalur kurrë të reflektojmë thellë.
Shfaqja vjen si një takim poetik mes tragjikes dhe qesharakes, mes ëndrrës dhe realitetit. Pak trishtim, pak të qeshura – njësoj si jeta. Gratë që nuk folën sa ishin gjallë, rikthehen për të na treguar të vërtetën: çfarë do të na thoshin po të kishin edhe një herë zë?
Drama është përgatitur në vitin 2022, nën regjinë e Tansu Kervan, dhe përfaqëson shfaqjen e parë të Teatrit Rom “Nexhip Menekshe” me jetëgjatësi shumëvjeçare. Ajo është luajtur dhjetëra herë dhe vazhdon të ftohet për shfaqje të reja edhe sot.
Gjatë rrugëtimit të saj artistik, është prezantuar në Prishtinë, Graçanicë, Kamenicë, Gjakovë, Mitrovicë, në Shkup në kuadër të Festivalit “Garavde Muja”, si dhe në Berlin, në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove Rome “Common Tongue” në vitin 2025.
Falë suksesit të madh dhe pritjes së ngrohtë nga publiku, “Juvlenge Historie” mbetet një ndër produksionet më të kërkuara të teatrit.










